
Përmes një reagimi publik, Haziri tha se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket qëndrimit zyrtar të LDK-së dhe se Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i nominuar nga kjo parti për presidente.
“Asgjë s’ka ndryshu. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së. Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”, ka shkruar Haziri.
Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në periudhën e ardhshme, ndërsa kërkesat politike do të trajtohen brenda strukturave të partisë.
Ky sqarim vjen pasi Haziri, në një intervistë për REL, kishte deklaruar se në rast se VV-ja do t’ia ofronte LDK-së postin e presidentit në kuadër të një marrëveshjeje eventuale, kandidatë të mundshëm mund të ishin Lumir Abdixhiku ose ai vetë.
“Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh kam unë”, kishte deklaruar Haziri.
LDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit garoi me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke u renditur si partia e tretë në vend.






