Presion ndaj delegatëve para Kuvendit të LDK-së? Partia paralajmëron masa disiplinore dhe kërkon hetim

Lajme2 months ago58 Views

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thirrur për të enjten në ora 18:00 Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet të testohet mbështetja e delegatëve për udhëheqjen e tij.

Pak ditë para mbajtjes së Kuvendit, mediat kanë raportuar për pretendime se delegatë të LDK-së janë kontaktuar nga persona të afërt me Abdixhikun, me qëllim që të ndryshojnë qëndrimin e tyre lidhur me votimin për shkarkimin e kryetarit.

Sipas raportimit të Periskopit, rreth 50 delegatë dyshohet se janë ftuar në takime individuale me përfaqësues të udhëheqjes së partisë, ku u janë premtuar pozita ekzekutive, përfshirë poste të zëvendësministrave dhe funksione të tjera publike, në rast të përfshirjes së LDK-së në qeveri.

Një nga delegatet e LDK-së nga Ferizaj, Bahrije Hyseni, ka konfirmuar në emisionin Debat Plus se ka marrë mesazh për takim me presidenten Vjosa Osmani, pasi kishte shprehur publikisht qëndrimin e saj kundër Lumir Abdixhikut.

Sipas të njëjtit raportim, as kampi i Vjosa Osmanit dhe as ai i Lumir Abdixhikut nuk i kanë mohuar këto pretendime, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të mediumit.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate, duke dënuar çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të partisë.

LDK ka bërë të ditur se pamjet e publikuara në opinion, ku pretendohet se zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë ushtruar presion ndaj një delegati përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me Statutin e partisë dhe ligjin.

“LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush, e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojnë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh”, thuhet në reagimin e partisë.

Partia ka njoftuar se organet kompetente do të nisin procedura statutare dhe disiplinore ndaj anëtarëve që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

Po ashtu, LDK i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore nëse konstatohet se janë kryer vepra penale.

“LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë. Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë”, thuhet në fund të reagimit.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...