Veterani Fatos Çeku rrëfen rrugëtimin në UÇK: Në moshën 17-vjeçare iu bashkua luftës pas masakrës së Jasharëve

Lajme2 months ago82 Views

Veterani dhe invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatos Çeku, ka rrëfyer për herë të parë detaje nga rrugëtimi i tij në luftën e UÇK-së, duke treguar se motivi kryesor për t’iu bashkuar luftës ishte masakra ndaj familjes Jashari në Drenicë.

Në emisionin “Rrënjët e Lirisë” me Majlinda Shalën, Çeku tha se ishte vetëm 17 vjeç dhe ende nxënës i gjimnazit kur vendosi të merrte armët.

“Kur ka filluar lufta e Jasharëve në Drenicë dhe vrasja e tyre, vetë ky fakt ishte motivi kryesor për të luftuar për këtë vend”, u shpreh ai.

Ai tregoi se për herë të parë kishte parë pjesëtarët e UÇK-së gjatë shpërndarjes së ndihmave në zonat e luftës në Drenicë, ndërsa më vonë kishte vendosur t’i bashkohej luftës në Gllogjan, pa dijeninë e familjes.

Sipas tij, bashkë me Rifat Çekun, Avni Çekun, Besim Çekun dhe Dervish Osmanajn u nisën drejt Gllogjanit, ku pas mbërritjes morën edhe pseudonime për të mos rrezikuar familjet e tyre.

Çeku rrëfeu se për rreth një muaj ishte stërvitur në përdorimin e armëve, pasi për shkak të moshës nuk kishte përvojë ushtarake. Ai kujtoi edhe një moment me komandantin Ramush Haradinaj, i cili, sipas tij, i kishte thënë se një ditë do të bëhej një nga luftëtarët më të mirë.

“Ramushi më tha: ‘Ti do të bëhesh luftëtari më i mirë, sepse të gjitha komandat do t’i mësosh në gjuhën shqipe’. Ai ishte shumë i ashpër në disiplinë, por na jepte kurajo çdo ditë”, tregoi Çeku.

Veterani foli edhe për betejat në të cilat mori pjesë, përfshirë Betejën e Loxhës, ku fillimisht ishte caktuar të ruante armatimin, por më pas iu bashkua luftëtarëve në vijën e frontit.

Ai kujtoi edhe mungesën e ushqimit gjatë luftës, duke treguar se kishte kërkuar një kombajnë për të korrur grurin, pasi rezervat e ushqimit po shteronin.

Një nga momentet më të vështira, sipas tij, ishte sulmi i 15 gushtit, kur forcat serbe bombarduan pozicionet e UÇK-së me avionë.

“Na sulmuan nga të gjitha anët. Na rrëzuan istikamet dhe mbetëm vetëm në disa kanale”, kujtoi ai.

Çeku rrëfeu edhe periudhën kur u largua përmes Malit të Zi me synimin për të shkuar në Shqipëri, ku tha se ishte ndaluar, keqtrajtuar dhe rrahur nga autoritetet.

“Kur më dërguan te komandanti, mendova se misioni im kishte përfunduar. Më kërkuan të bashkëpunoja, por unë nuk pranova. Pas kësaj më rrahën dhe më keqtrajtuan rëndë”, tha ai.

Pas lirimit, ai tregoi se shkoi në zonën kufitare me Shqipërinë, ku takoi komandantët e UÇK-së dhe formoi një njësi prej 30 ushtarësh.

Sipas tij, qëllimi ishte të kalonin në Koshare dhe më pas të bashkoheshin me forcat e tjera të UÇK-së.

Në fund të intervistës, Çeku bëri thirrje që luftëtarët e UÇK-së të flasin më shumë për përvojat e tyre, në mënyrë që brezat e rinj të mësojnë të vërtetën për luftën.

“Edhe sikur të flasësh gjithë jetën, nuk mjafton për luftën e UÇK-së. I bëj thirrje të gjithë atyre që kanë luftuar të dalin e ta tregojnë të vërtetën. Ne kemi qenë të okupuar për shumë vite dhe kemi vuajtur shumë. Jam i lumtur që amaneti i Skënderit shkoi në vend”, përfundoi ai.

Emisioni i plotë:

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...