Tifo-grupet mbushin sheshin, mesazhi: “UÇK nderohet kur shqiptaria bashkohet”

Lajme12 hours ago31 Views

Tifo-grupe nga vende të ndryshme të Kosovës janë bërë bashkë të dielën në Prishtinë, në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Për disa orë, rivalitetet e tribunave u lanë anash, ndërsa në shesh dominuan flamujt, pankartat dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një nga mesazhet kryesore të protestës ishte vendosur në ballë të turmës: “UÇK nderohet kur shqiptaria bashkohet”.

Pankarta shoqërohej nga flamuj të tifo-grupeve, ndërsa pjesëmarrësit përdorën edhe mjete piroteknike, duke krijuar atmosferën karakteristike të tribunave sportive.

Pamjet tregojnë tifozë të organizuar në një kolonë të përbashkët, pavarësisht përkatësive të ndryshme dhe rivaliteteve që zakonisht i ndajnë në stadiume.

Në protestë u shfaq edhe një baner i madh me portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, shkruhej në banerin e vendosur përballë protestuesve.

Tubimi ishte paralajmëruar më herët nga “Plisat”, ndërsa thirrjes iu bashkuan edhe tifo-grupe të tjera nga Kosova.

Ideja e organizimit ishte që, për këtë protestë, identitetet e klubeve dhe rivalitetet sportive të kalonin në plan të dytë.

Protesta e tifo-grupeve vjen në një periudhë mobilizimi të shtuar pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara për krime lufte.

Ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi i shkallës së parë mund të ankimohet.

Vendimi nxiti reagime politike dhe publike në Kosovë, ndërsa në Prishtinë nisën edhe tubime të njëpasnjëshme në mbështetje të të dënuarve.

Protestat nuk janë kufizuar vetëm në Kosovë.

Gjatë kësaj fundjave, mobilizime të diasporës shqiptare janë zhvilluar ose paralajmëruar edhe në një varg qytetesh evropiane.

Në disa prej tyre, pjesëmarrësit kanë përdorur flamuj kombëtarë, simbole të UÇK-së dhe pankarta që kundërshtojnë aktgjykimin e shpallur në Hagë.

Protesta e së dielës në Prishtinë pati megjithatë një element tjetër dallues: bashkimin e grupeve që zakonisht qëndrojnë në tribuna të kundërta.

Flamujt e tyre u shfaqën krah njëri-tjetrit, ndërsa mesazhi i vendosur në qendër të protestës e përmblidhte idenë e organizatorëve.

“UÇK nderohet kur shqiptaria bashkohet”, ishte pankarta që udhëhoqi marshimin dhe që u bë një nga pamjet kryesore të protestës.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...