
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të trajtojë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani”, Tahiri bëri të ditur se të nesërmen do të kërkojë që kjo çështje të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit.
“Do të kërkoj që ta diskutojmë këtë temë në Kryesinë e Kuvendit. Në këtë temë Aleanca nuk synon të marrë lidership”, tha Tahiri.
Ai e cilësoi si shqetësuese mungesën e një reagimi institucional, duke theksuar se Kuvendi duhet të ketë një qëndrim të qartë lidhur me vendimin e Hagës.
“Nesër Kuvendi duhet të caktojë seancën e radhës. Në atë seancë, normalisht, pika e parë duhet të jetë kjo që ka ndodhur në Hagë dhe të kemi një qëndrim”, u shpreh ai.
Tahiri tha se Aleanca mbështet edhe themelimin e një komisioni ad-hoc nga Kuvendi, i cili do të merrej në mënyrë të veçantë me këtë çështje.
“Ne mendojmë si Aleancë që Kuvendi do të duhej të themelonte një komision ad-hoc që e trajton vetëm këtë temë”, deklaroi Tahiri.






