
Në draftin e kësaj kërkese, të cilën e kanë nënshkruar delegatët mbështetës, thuhet se iniciativa bazohet në dispozitat e Statutit të LDK-së që mundësojnë kërkesën për votëbesim ndaj kryetarit nga një numër i caktuar i anëtarëve të Kuvendit.
Sipas hartuesve të dokumentit, arsyeja kryesore për këtë kërkesë lidhet me rezultatet e tri proceseve të fundit zgjedhore, për të cilat ata vlerësojnë se LDK-ja nuk ka arritur pritshmëritë e anëtarësisë dhe elektoratit.
“Neni 27.1 i Statutit përcakton se Kryetari i LDK-së i përgjigjet për punën e tij Kuvendit të LDK-së dhe se, me propozimin e një të tretës (1/3) së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit ndaj Kryetarit.” – shkruan ndër të tjerash në këtë dokument.
Në dokument thuhet gjithashtu se:
“Neni 17.6 përcakton se Kuvendi thirret edhe kur këtë e kërkon një e treta (1/3) e delegatëve që e përbëjnë atë, ndërsa neni 17.7 obligon që Kuvendi i kërkuar në këtë mënyrë të mbahet brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës me shkrim.
Po ashtu, neni 27.4 obligon thirrjen e Kuvendit brenda të njëjtit afat në rastin e ngritjes së çështjes së votëbesimit ndaj Kryetarit.”
Nënshkruesit pretendojnë se kjo iniciativë nuk ka për qëllim krijimin e përçarjeve brenda partisë, por, siç thuhet në kërkesë, “garantimin e funksionimit të demokracisë së brendshme dhe respektimin e parimit të llogaridhënies”.
Sipas Statutit të LDK-së, nëse kërkesa paraqitet nga numri i nevojshëm i delegatëve, Kuvendi duhet të shqyrtojë çështjen brenda afateve të përcaktuara.
Në rast të miratimit të propozimit për shkarkim, neni 27.2, në lidhje me nenin 21 të Statutit, përcakton se mandati i Kryetarit pushon.






