
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në rrjetin social X lidhur me deklaratën e ministres serbe, e cila pretendoi se ndaj serbëve në Kosovë po kryhet “spastrimi etnik”.
Rama tha se Shqipëria tashmë ka reaguar përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke theksuar se ky është reagimi që i takon një shteti serioz.
“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, shkroi Rama.
Ai kritikoi edhe ata që, sipas tij, kërkojnë reagime publike për çdo deklaratë që vjen nga Beogradi.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai”, u shpreh ai.
Në fund, kryeministri shqiptar ironizoi edhe kritikët në Tiranë, duke thënë se ata “gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front”, ndërsa shtoi se kjo kategori “meriton vetëm keqardhje”.
Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten…
— Edi Rama (@ediramaal) July 16, 2026






