Policia: Dy kërcënimet për bombë në Stacionin e Autobusëve u bënë nga i njëjti numër në Serbi

Lajme2 months ago53 Views

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbardhur lidhjen mes dy kërcënimeve të rreme për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke bërë të ditur se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi.

Sipas Policisë, më 30 qershor, rreth orës 07:48, Qendra Operative pranoi një telefonatë në gjuhën serbe, ku pretendohej rrejshëm se në Stacionin e Autobusëve ishte vendosur një mjet shpërthyes.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore evakuuan qytetarët, siguruan perimetrin dhe angazhuan Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësinë K9, hetuesit policorë, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

Pas kontrollit të detajuar të objektit dhe zonës përreth, nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes dhe stacioni rifilloi funksionimin normal.

Policia bëri të ditur se rasti është ndërlidhur me kërcënimin e rremë të 22 qershorit, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt.

“Hetimet intensive të zhvilluara nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, kanë rezultuar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Gjithashtu, gjatë analizave teknike dhe hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna të tjera elektronike që ndërlidhin këto raste me njëri-tjetrin dhe që tashmë janë pjesë e procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...