Pas 27 vitesh, identifikohen tre të zhdukur nga varrezat masive në Zubin Potok 

Lajme1 week ago46 Views

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë pranuar tri raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Kurti ka bërë të ditur se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, të cilat lidhen me grupin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Sipas Kurtit, raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara.

“Edhe gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ashtu si çdo ditë në punën time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës e vërteta për fatin e më të dashurve tanë dhe drejtësia për viktimat e familjet e tyre do të jenë në qendër të angazhimit tonë”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se në ditët dhe javët në vijim priten edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së.

“Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit masiv në Kalludër. Gjatë vizitës në këtë lokacion, theksova se është jetike që faktorët ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka kërkuar gjithashtu hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.

Kurti ka thënë se përkushtimi institucional do të vazhdojë përmes kërkimeve në terren, mbështetjes për procesin e identifikimit dhe komunikimit me familjet.

“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka thënë Kurti

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...