Pacolli kërkon llogaridhënie pas vdekjes së një punëtori në Prishtinë, Rama: Siguria në punë duhet të jetë prioritet

Lajme2 months ago51 Views

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kërkuar llogaridhënie të menjëhershme pas aksidentit të rëndë në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, ku humbi jetën një 26-vjeçar, ndërsa një 18-vjeçar mbeti i lënduar.

Pacolli i shprehu ngushëllime familjes së viktimës dhe i uroi shërim të shpejtë të lënduarit, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme.

“Ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë, dhe është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, përgjegjësia për lejimin e punimeve, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të tilla bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe Komunën e Prishtinës.

“Në cilësinë e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoj se përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës. Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shkruar Pacolli.

Ajo shtoi se ministria është duke verifikuar çdo shkelje apo lëshim të mundshëm dhe se do të kërkojë që përgjegjësit të japin llogari para ligjit, ndërsa u bëri thirrje edhe odave profesionale të vlerësojnë nëse ka pasur mungesë profesionalizmi.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili u shprehu ngushëllime familjes së viktimës dhe falënderoi ekipet emergjente për reagimin në vendin e ngjarjes.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën ‘Holger Petersen’. Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë”, ka deklaruar Rama.

Ai theksoi se rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente dhe se çështjet që lidhen me standardet e sigurisë në punë janë përgjegjësi e Inspektoratit të Punës dhe institucioneve përkatëse.

Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se vinçi që u rrëzua ishte në proces montimi në momentin e aksidentit dhe i përkiste kompanisë “Vëllezërit Asllani”.

Sipas Inspektoratit, vinçi nuk ishte inspektuar më parë pasi punimet në atë lokacion ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit.

“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagimin e Inspektoratit.

Inspektorët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në koordinim me institucionet e tjera kompetente, po zhvillojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...