Në prag të seancës konstituive, deklarohen nga LDK e PDK

Lajme1 month ago131 Views

Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të partive politike kanë shpalosur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e formimit të institucioneve dhe bisedimet ndërpartiake.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se procesi i bisedimeve do të zhvillohet me transparencë dhe sinqeritet, duke theksuar se fokusi nuk është te emrat, por te parimet e përfaqësimit.

“Do të jemi transparentë dhe të sinqertë. Të gjitha pozicionet do t’i mbajmë në takime. Nuk po flasim për emra, por për balancë demokratike. Balanca demokratike është çelësi i këtyre takimeve”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka ritheksuar se diskutimet po zhvillohen me synimin për të arritur një balancë demokratike dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Përderisa përpiqemi, takohemi, mbesim të vetmit që duam t’i shmangim zgjedhjet e reja. Të gjithë ata që na kritikojnë, s’e kuptojnë pse po takohemi, çfarë qëllimi kemi. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe një herë është dëmi më i madh që i bëhet Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se partia e tij është në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e një marrëveshjeje politike, duke shprehur bindjen se Kuvendi do të konstituohet.

“Mësimi më i madh që duhet ta nxjerrim të gjithë është që 9 shkurti dhe 28 dhjetori të mos përsëriten, në kuptimin e mosarritjes së bashkëpunimit dhe marrëveshjeve. Tani jemi në bashkëpunim me partinë e parë, jemi duke biseduar për të ndërtuar një marrëveshje funksionale në interes të agjendës së Republikës. Ende jemi në nivelin e diskutimeve lidhur me parimet e një bashkëpunimi që do të jetë i qëndrueshëm dhe do t’i japë vendit stabilitet. Sot do të konstituohet Kuvendi sipas rezultatit zgjedhor”, ka deklaruar Haziri.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se askush deri më tani nuk ka kërkuar mbështetjen e PDK-së për procesin e konstituimit të institucioneve.

“Tash kemi mbledhjen e Grupit Parlamentar. Askush nuk ka kërkuar përkrahje prej neve. Edhe në të kaluarën nuk është që i kanë përkrahur kandidatët e PDK-së. Sa i përket çështjes së nënkryetarëve, ne e kemi një nënkryetar dhe, si parti e dytë për nga numri i ulëseve, e përkrahim kandidatin e propozuar nga PDK-ja për atë pozitë”, ka thënë Hamza.

Ai ka ritheksuar se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se prioritet për partinë mbeten programi dhe politikat, e jo ndarja e posteve.

“Qëndrimi i PDK-së është konsistent. Ne kemi shkuar në zgjedhje, kemi kërkuar votën e qytetarëve me një program për ekonomi, drejtësi dhe energji. Nëse nuk kemi dakordim për këto prioritete, është absurde të flasim për tema të tjera”, është shprehur Hamza.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...