Në prag të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, organizohen tubime në Kosovë

Lajme1 week ago36 Views

Në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë nisur organizimet për pritjen e vendimit.

Disa komuna të Kosovës kanë njoftuar se sonte do të organizojnë tubime në sheshet e qyteteve të tyre, ku qytetarët pritet të mblidhen për të pritur vendimin e Hagës në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ftuar qytetarët që sonte të mblidhen në Sheshin “Adem Jashari”, duke filluar nga ora 20:00.

“Sonte, në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, duke filluar nga ora 20:00, mblidhemi në pritje të vendimit të nesërm ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Ftoj bashkëluftëtarët, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe të gjithë qytetarët e Skenderajt që sonte të jemi bashkë, unik dhe të palëkundur në mbështetje të çlirimtarëve tanë!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Thirrje për tubim ka bërë edhe Çlirim Haziri, djali i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit, Xhavit Haziri.

Ai ka ftuar qytetarët që sonte të mblidhen në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe së bashku ta presin mëngjesin e 16 shtatorit.

Haziri ka bërë të ditur se do ta kalojë natën në shesh, në pritje të verdiktit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Si djali i Xhavit Hazirit, pritjen e njoh mirë. Jam rritur me të. Unë dhe familja ime presim edhe sot e kësaj dite”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se dëshiron që kjo natë të mos kalohet veçmas, por së bashku, si qytetarë të bashkuar nga lufta e drejtë e UÇK-së.

“Të rrimë bashkë sonte dhe ta zbardhim mëngjesin në shesh, në pritje të lirisë për çlirimtarët tanë”, ka shkruar Haziri.

Sipas tij, vendimi i 16 shtatorit nuk lidhet vetëm me fatin e katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, por edhe me historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë Kosovës.

Postimi i Hazirit është shpërndarë nga shumë zyrtarë të PDK-së, duke treguar se edhe ata pritet të jenë të pranishëm në shesh.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...