
Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili tha se të dy kryetarët do të takohen në orën 18:00.
Kurti, në ftesën të cilën e bëri në cilësinë e kryeministrit në detyrë, ftoi për takim edhe Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën, por këto të fundit nuk pranuan të takohen.
Në një letër të PDK-së drejtuar Kurtit thuhet se PDK do të qëndrojë në opozitë.
“Duke ju referuar takimit të parë të 10 korrikut 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në letrën e Hamzës.
Tutje, Hamza ka vlerësuar se pret që Kurti të pajtohet me partitë e tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja.
“Presim që ju, në përputhje me përgjegjësitë që ju burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026, së bashku me partitë e tjera parlamentare, të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, është thënë në letër.
Aleanca, e cila nuk pranoi as takimin e datës 10 korrik, i tha jo edhe takimit të dytë.
Në letrën e datës 3 gusht 2026, Gjini rikujton se Aleanca e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj edhe në përgjigjen e 9 korrikut, duke theksuar se partia nuk ka interes të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës “në asnjë format”.
“I nderuar z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Në letrën kthyese të datës 9 korrik 2026, Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve. Aty ju kemi bërë të ditur se nuk kemi kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format. Po ashtu, e kemi ofruar mundësinë e ndihmës për themelimin e institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Ne kemi vendosur gjashtë pika që besojmë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërkohë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to”, shkroi Gjini në letër.
Gjini në letër i radhiti gjashtë kërkesat e Aleancës.
“Gjashtë pikat tona janë: Orientimi Strategjik dhe Gazi Amerikan – pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik dhe jetik shtetëror. Pavarësia Energjetike – nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit. Lehtësimi për Bizneset e Vogla – ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro. Mbështetja për Bujqësinë – lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë për nxitjen e prodhimit vendor. Buxhetimi i Infrastrukturës.
Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, shkroi Gjini.






