Krerët politikë në Kosovë kujtojnë Eqrem Kryeziun

Lajme1 month ago72 Views

Në Prizren është mbajtur mbledhje komemorative kushtuar ish-kryetarit të kësaj komune, profesorit dhe politikanit Eqrem Kryeziu, i cili vdiq sot në moshën 78-vjeçare.

Mbledhja është organizuar nga Komuna e Prizrenit, ndërsa në të kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme nga politika, institucionet dhe bota akademike.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka kujtuar Kryeziun si profesor të devotshëm dhe një prej figurave më të rëndësishme politike të Prizrenit dhe Kosovës.

“E kam ende të freskët imazhin e tij si një profesor i devotshëm, shembull e model. Edhe në jetën politike, si një personalitet që ka dhënë një kontribut të veçantë edhe natyrisht në kohërat më të vështira. Është një prej figurave më të ndritshme të skenës politike në Prizren, por edhe në Kosovë”, ka thënë Totaj.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, Anton Quni dhe Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryeziun e kanë kujtuar edhe krerë e përfaqësues të institucioneve dhe partive politike në vend.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Eqrem Kryeziu ishte një politikan në shërbim të Prizrenit, por edhe profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

“Përveç si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, Eqrem Kryeziu zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi”, ka shkruar Kurti.

Edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për familjen Kryeziu, duke e cilësuar atë si një intelektual dhe veprimtar të shquar.

Sipas Haxhiut, Kryeziu ishte para së gjithash profesor dhe njeri i letrave, ndërsa për më shumë se pesë dekada jeta e tij ishte e lidhur me librin, arsimin dhe dijen.

Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar Kryeziun si një prej personaliteteve më të shquara të jetës politike, akademike dhe institucionale të Kosovës.

Ajo ka theksuar kontributin e tij si bashkëpunëtor i presidentit historik Ibrahim Rugova, nënkryetar i LDK-së, kryetar i Prizrenit, nënkryetar i Kuvendit, deputet dhe profesor.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova humbi një intelektual të shquar dhe një prej figurave të rëndësishme të LDK-së, ndërsa Prizreni humbi një personalitet që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.

“Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i Presidentit Rugova”, ka shkruar Abdixhiku.

Ngushëllime për familjen Kryeziu ka shprehur edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e ka përshkruar atë si një intelektual të shquar, profesor të letërsisë dhe burrë shteti.

Haradinaj ka thënë se Kryeziu ishte një intelektual i guximshëm, i cili nuk ngurronte të fliste hapur dhe të përkrahte njerëz e procese edhe përtej vijave të partisë së tij.

Eqrem Kryeziu ka qenë kryetar i Komunës së Prizrenit, deputet i Kuvendit të Kosovës, nënkryetar i LDK-së dhe profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...