
Sipas Inspektoratit, hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimit të përgjegjësive.
Në reagim, Inspektorati ka sqaruar ndarjen e kompetencave lidhur me mbikëqyrjen e sigurisë në kantieret e ndërtimit. Ai thekson se mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e autorizuar që punojnë në kantier, është përgjegjësi e Inspektoratit Qendror të Punës.
Ndërkaq, për sigurinë e palëve të treta dhe parandalimin e dëmeve që mund t’u shkaktohen qytetarëve ose pronave jashtë kantierit, përgjegjëse janë inspektoratet komunale të ndërtimit. Sipas Inspektoratit, Ligji për Ndërtim, përkatësisht neni 35, ua ngarkon komunave mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit dhe ndërmarrjen e masave ndaj subjekteve që shkelin këto rregulla.
Institucioni ka sqaruar gjithashtu se nuk ka kompetencë ligjore për të vlerësuar nëse janë përmbushur kushtet për lëshimin e lejeve ndërtimore, pasi kjo është përgjegjësi e autoriteteve kompetente sipas legjislacionit në fuqi.
Sa i përket aksidentit në Prishtinë, Inspektorati vlerëson se është ende herët për të nxjerrë përfundime, pasi rasti kërkon hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit dhe përgjegjësitë për zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Nëse nga hetimet konstatohet se ka pasur shkelje të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Inspektorati ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore që i lejon mandati i tij, në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Në reagim, Inspektorati ka ngritur edhe shqetësimin për mungesën e koordinimit institucional. Sipas tij, komunat aktualisht nuk e njoftojnë në mënyrë sistematike Inspektoratin për lëshimin e lejeve ndërtimore apo fillimin e punimeve në kantieret e reja. Për këtë arsye, planifikimi i inspektimeve bazohet kryesisht në monitorimin e terrenit, raportimet e qytetarëve dhe burime të tjera të informacionit.
Për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen, Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se do të iniciojë diskutime me institucionet përgjegjëse për krijimin e një mekanizmi të rregullt të njoftimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me synim identifikimin sa më të hershëm të kantiereve të reja dhe fuqizimin e mbikëqyrjes parandaluese në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.






