
Shqipëria ka lënë pas shumë shtete të fuqishme, si Gjermania dhe Finlanda, duke arritur të renditet në vendin e parë në këtë indeks.
Ndërkohë, dallimi me Kosovën është i madh. Kosova renditet në vendin e 88-të në botë, me 50 pikë në NCSI. Të dhënat e indeksit tregojnë se Kosova ka ende boshllëqe në disa prej fushave kryesore të sigurisë kibernetike.
NCSI mat përgatitjen e shteteve për parandalimin e kërcënimeve kibernetike dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike.
Vlerësimi përfshin fusha si politikat dhe strategjitë kombëtare të sigurisë kibernetike, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore, menaxhimin e incidenteve, zhvillimin e kapaciteteve si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Arritja e Shqipërisë është veçanërisht e dukshme duke pasur parasysh pozitën që kishte vetëm disa vite më parë. Nga vendi i 54-t në vitin 2023, Shqipëria është ngjitur fillimisht në mesin e 15 vendeve më të mira dhe tash ka kaluar në krye të renditjes botërore.
Ky rezultat e vendos Shqipërinë përpara shumë shteteve me kapacitete të zhvilluara teknologjike dhe institucionale dhe përbën një nga përmirësimet më të mëdha të vendit në fushën e sigurisë kibernetike në vitet e fundit.







