Haxhiu: Seanca konstitutive e Kuvendit do të mbahet më 6 gusht në ora 10:00

Lajme2 months ago43 Views

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahen më 6 gusht në ora 10:00.

Në një konferencë për media, ajo ka kërkua nga partitë politike që të reflektojnë dhe të gjejnë gjuhen e përbashkët për formimin e institucioneve të reja.

Ajo ka bërë me dije se dialogu është detyrim i të gjitha partive politike.

“Sot ju njoftoj se seanca konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më datë 6 gusht në ora 10:00. Pra, ditë e enjte. Deri atëherë mbete detyrim politik dhe institucional i subjekteve politike parlamentare që të vazhdojnë dialogun ”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë me dije se është përgjegjësi e të gjitha subjekteve politike formimi i institucioneve.

“Dialogun ndërmjet tyre askush nuk duhet ta shoh si një shenjë dobësi, por si dëshmi e përgjegjësi demokratike. Në një demokraci parlamentare përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i dikujt, por u takon të gjithëve. Marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët”, ka thënë ajo.

Në adresimin e saj, ajo nuk ka treguar se kush do të jetë kandidat i VV-së për kryetar të Kuvendit.

“I takon fituesit, i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Për aq sa i takon Lëvizjes Vetëvendosje, pra është në përgjegjësinë e tyre se kush do të jetë kandidatja apo kandidati për kryetar të Kuvendit dhe tash seanca konstituive është caktuar më 6 gusht. Aty do të dihet, nëse jo më herët, se kush do të jetë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu.

Ndër të tjera, Haxhiu i ka komentuar edhe takimet e Kurtit me liderët e partive tjera.

“Kanë qenë vetëm dy takime siç e përmenda. LDK-ja përmes zotit Hamza ka dhënë qëndrimet sa i përket dobishmërisë së këtij procesi, ndërsa LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të problemeve të brendshme. Natyrisht, unë nuk merrem me problemet e brendshme të partive politike, janë të tyret, por duhet ta kemi parasysh që ne kemi afatet kushtetuese për të cilat duhet të veprojmë. Prandaj, edhe nuk e kam mirëpritur vendimin për pezullim të këtyre takimeve, sepse megjithatë, nga takimi i parë që kam pasur, duket që ka qenë pak më ndryshe sesa në takimet që kishim në proceset e kaluara në përpjekjen e asaj kohe për të pasur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ajo, duke ftuar partitë për reflektim.

“Prandaj, po theksoj se unë nuk e di se kur do të hiqet vendimi për pezullim të këtyre takimeve, por është e rëndësishme që kjo të ndodhë sa më parë. Sepse 7 gushti është dita e fundit që unë kam pasur në dispozicion për ta thirrur seancën konstituive, por pastaj ju e dini që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. E pastaj, pas konstituimit, i kemi 60 ditë për të zgjedhur presidentin. Prandaj nuk kemi kohë për të humbur dhe i gjithë fokusi duhet të jetë te takimet dhe tek përpjekja serioze. Jo vetëm takime që nuk prodhojnë asnjë rezultat, por takime serioze dhe konsiderim i ofertave që mund të propozohen në këtë rast nga kryeministri Kurti apo kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka komentuar caktimin e datës së seances konstituive.

Ai ka bërë me dije se caktim i kësaj date më 6 gusht është veprim i vonuar.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se caktimi i kësaj date lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së presidentit tashmë të ketë përfunduar. Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për kryeministër. Aq më keq që, koha që u tha se po lihet në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiake”, ka deklaruar Cakolli.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...