
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, duke nderuar 24 zyrtarët policorë që humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Përmes një postimi, Haxhiu tha se nga polici i parë i rënë në Kosovën e pasluftës, Lazim Rexhepi, e deri te Muhamed Lika, secili prej tyre është pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe të shtetit.
Ajo përmendi edhe Enver Zymerin, i vrarë më 26 korrik 2011 gjatë operacionit në veri, si dhe Afrim Bunjakun, i cili humbi jetën në sulmin terrorist në Banjskë.
“Sot i kujtojmë me respekt të gjithë policët e rënë në detyrë. Republika e Kosovës do ta ruajë kujtimin e tyre dhe do të qëndrojë pranë familjeve që ata lanë pas”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, rënia e policëve dëshmon se sa e rëndë mund të bëhet detyra e tyre kur mbrojnë rendin, sigurinë dhe sovranitetin e vendit, ndërsa theksoi se i njëjti përkushtim vazhdon të shihet në punën e përditshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe në besimin që qytetarët kanë ndaj këtij institucioni.






