
Takimi është paraparë të mbahet më 18 gusht, në orën 09:00, në Zyrën e Presidentes.
Ftesa e Haxhiut vjen pas refuzimit të takimeve të thirrura më herët nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me liderët e partive opozitare.
Në letrën drejtuar liderëve politikë, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese.
Megjithatë, ftesa nuk është pranuar nga të gjitha partitë.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, i është përgjigjur Haxhiut duke refuzuar pjesëmarrjen në takim. Ai ka vënë në pikëpyetje mandatin e saj për të udhëhequr një proces të tillë.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, ka shkruar Gjini.
Ai ka akuzuar Haxhiun dhe Kurtin se takimi nuk synon gjetjen e një zgjidhjeje për krizën institucionale, por gjetjen e fajtorëve për situatën aktuale.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje”, ka shkruar Gjini.
Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, e ka cilësuar ftesën si “një manipulim të radhës nga Lëvizja Vetëvendosje”.
Sipas tij, në vend të takimeve politike, Haxhiu duhet t’i kërkojë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që ta thërrasë Kuvendin.
“Zonja Albulena Haxhiu, më mirë kishte me qenë t’i kishte shkruar letër zotit Avni Deharit, që ta thërrasë Kuvendin, sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo funksion në Kosovë, politik, funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Ismaili.
Ai njoftoi se grupi parlamentar i PDK-së i ka dërguar kërkesë Deharit për vazhdimin e seancës konstituive më 16 gusht.
“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Ismaili.
Ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë të ditur qëndrimet e tyre, LDK-ja ende nuk ka dhënë përgjigje publike nëse do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu.
Takimi pritet të zhvillohet në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me bllokadë institucionale dhe me mungesë të konsensusit politik për konstituimin e Kuvendit dhe hapat e mëtejmë institucionalë.






