
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit.
Gjini ka deklaruar se Vetëvendosje, sipas tij, e ka zvarritur procesin me qëllim që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
“Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se Aleanca e ka paralajmëruar këtë situatë vazhdimisht, duke pretenduar se partia që ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur procesin.
“E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë. Edhe këtë Aleanca e ka spikatur panumër herë”, ka shkruar ai.
Sipas Gjinit, përgjegjësia për situatën politike bie mbi kryeministrin Albin Kurti.
“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka shkruar Gjini.
Ai ka komentuar edhe afatin e 6 tetorit, duke thënë se vendimi i Kushtetueses e ka nxjerrë vendin nga një situatë që e ka cilësuar si të paparashikuar.
“Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Gjini ka folur edhe për respektimin e Kushtetutës.
“Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”, ka shkruar ai.
Në fund, Gjini ka thënë se qytetarët, sipas tij, i kuptojnë zhvillimet politike dhe interesat partiake.
“Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët”, ka përfunduar ai.






