
Kështu kanë njoftuar kryetarët e këtyre dy partive.
Kryetari i PDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë, tregoi se ia ka kthyer shkresën Kurtit dhe se do të takohen të premten.
“Ja ktheva shkresën që PDK-ja është e gatshme të takohet nesër me Kurtin në ora 09:00, në ambientet e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërsa, përmes një komunikate për media, PDK tha se përgjegjësia për formimin e institucioneve i takon partisë fituese dhe se do t’i dëgjojë me kujdes propozimet e Kurtit.
“PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme.”
“Çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i këtij procesi, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete në interes të Republikës së Kosovës, dhe jo nga kalkulimet politike apo përpjekjet për ta shpërndarë përgjegjësinë te opozita”, thuhet më tej.
Ndërsa theksohet se partia nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me procesin.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe do të vazhdojë të mbrojë interesin qytetar dhe shtetëror, duke vepruar me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, përfundon njoftimi.
Ndërkaq, Ardian Gjini i Aleancës tha se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Albin Kurti i Vetëvendosjes për të biseduar me liderët politikë për konstituimin e institucioneve.
Gjini ka publikuar përgjigjen e tij për Kurtin, duke shkruar se Aleanca i ka gjashtë kushtet e saj të 26 qershorit dhe, rrjedhimisht, nuk e sheh të nevojshëm takimin.
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i ka kthyer ende përgjigje kësaj ftese dhe, për momentin, është ende duke mbajtur mbledhjen e Kryesisë.
Kurti i ftoi të enjten PDK-në, LDK-në dhe Aleancën për të diskutuar, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, për formimin e institucioneve të reja.






