
Peci ka thënë se Kosova ende përballet me pasojat e luftës, ndërsa familjet e të pagjeturve vazhdojnë të presin për zbardhjen e fatit të të dashurve të tyre.
“Kosova ende i ka varret e hapura e plagën që kullon, e Serbia gjenocidale as kërkim falje nuk kërkon”, ka shkruar Peci.
Ai ka përmendur edhe Mitrovicën, duke theksuar çmimin që, sipas tij, ajo ka paguar për lirinë.
“Për një çerek shekulli, Mitrovica më së shtrenjti e pagoi çmimin e lirisë. Nga antikiteti jemi në veri, aty ku varrezat shqiptare dëshmojnë praninë dhe historinë tonë në këto troje”, ka shkruar ai.
Peci ka folur edhe për familjarët e personave të pagjetur, të cilët, sipas tij, për dekada kanë jetuar me dhimbjen, pritjen dhe shpresën për t’i gjetur të afërmit e tyre.
“Për afër 3 dekada vuajtje, pritje, dhimbje e kërkim, për familjarët e të pagjeturve që jetuan me pikëllimin dhe shpresën se një ditë do të mund të vendosin lule mbi varrezat e më të dashurve të tyre”, ka shkruar Peci.
Në fund të postimit, ai ka theksuar se krimet kërkojnë drejtësi.
“Dhimbje që kërkon shërim. Krime që kërkojnë drejtësi këtu nga Kalludra e Zubin Potokut”, ka shkruar Peci.






