Detaje të reja për arrestimet në MPB: Dy zyrtare dyshohen se përfituan nga lëshimi i lejeve të qëndrimit

Lajme2 months ago81 Views

Tre persona janë arrestuar në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në një skemë të kundërligjshme të lëshimit të lejeve të qëndrimit për shtetas të huaj.

Dy nga të arrestuarit janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa i treti është shtetas i huaj. Një person tjetër është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre po zhvillohen hetime për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy zyrtarët e MPB-së, me inicialet F.Sh. dhe G.J., njëri zyrtar në Divizionin për të Huaj dhe tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), dyshohen se kanë vepruar në bashkëkryerje duke u mundësuar shtetasve të huaj pajisjen me leje qëndrimi në Kosovë, në këmbim të përfitimeve financiare.

“Po ashtu, nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq, i dyshuari D.K., shtetas i huaj, dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që personat e tjerë të aplikonin dhe të pajiseshin në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DShAM), ku gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova dhe dëshmi që lidhen me rastin.

Sipas Policisë, ndaj të dyshuarve është iniciuar rast për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit”, “falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “dhënia e ryshfetit”.

“Personat e lartcekur dyshohet se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, duke përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili e ka mirëpritur operacionin dhe ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit brenda administratës publike.

“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar ndaj integritetit dhe llogaridhënies, duke theksuar se çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo korrupsion do të trajtohet me seriozitet të plotë në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...