
Deliu ka thënë se situata tashmë nuk paraqet vetëm krizë të Kuvendit, por sipas saj, krizë të respektimit të Kushtetutës.
Ajo ka kritikuar moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, duke thënë se tash po refuzohet edhe detyrimi për vazhdimin e seancës brenda 48 orëve.
“Pra, institucionet nuk po bllokohen rastësisht. Po krijohet precedent: pushteti vendos kur i bindet Kushtetutës dhe kur jo”, ka deklaruar Deliu.
Sipas saj, një situatë e tillë duhet të jetë shqetësuese për çdo qytetar që e konsideron Kosovën shtet, pasi rendi kushtetues duhet të respektohet pavarësisht interesave politike.
Deliu ka bërë edhe një krahasim me Serbinë, duke thënë se nëse dënohen përpjekjet e jashtme për cenimin e rendit kushtetues të Kosovës, duhet të dënohen njësoj edhe përpjekjet e brendshme për dobësimin e tij.
“Sovraniteti nuk mbron vetëm territorin. Sovraniteti fillon me Kushtetutën. Nëse nuk e mbron Kushtetutën e Kosovës, mos na trego sa shumë e mbron Kosovën”, ka përfunduar ajo.






