Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas shtyrjes së sërishme të shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku njoftoi se data e re për shpalljen e aktgjykimit është caktuar më 16 shtator 2026, në orën 10:00, duke kritikuar vonesat e vazhdueshme në proces.
“Këto vonesa të turpshme nuk kanë më asnjë lidhje me drejtësinë. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi. Vonesat mund ta shtyjnë aktgjykimin, por nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën”, ka shkruar ajo.
Çitaku theksoi se beson në drejtësi të vërtetë dhe jo në drejtësi politike, duke shtuar se pret që vendimi përfundimtar të jetë në favor të së vërtetës.
“Ne besojmë në drejtësi. Jo në drejtësi politike, por në drejtësi të vërtetë. Drejtësi për çlirimtarët. Drejtësi për historinë. Drejtësi për të ardhmen. Besojmë se, më në fund, do të flasë drejtësia. Për Kosovën. Për UÇK-në”, ka përfunduar Çitaku.






