
Në këtë Kuvend të Jashtëzakonshëm përveç votimit janë marrë disa vendime politike që synojnë “stabilitet dhe përgjegjësi institucional”.
Ndër vendimet e marra ishte edhe ai ku Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së do të përbëhet nga anëtarët e rinj të gjithë deputetë e zgjedhur të LDK-së nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Kjo do të thotë se edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pesë vjet pas largimit nga kjo parti, është rikthyer në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
Osmani ishte bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Tutje thuhet se çdo angazhim i LDK-së në proceset institucionale duhet të jetë në përputhje me interesin shtetëror, orientimin euroatlantik, programin politik dhe vendimet e organeve kompetente të Partisë.
Vendimi flet edhe për “respektimin dhe zbatimin e vendimeve të shumicës”.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë edhe këtë të sotmin. Debati, mendimi ndryshe dhe kundërshtimi politik ushtrohen lirshëm brenda organeve dhe procedurave statutare të LDK-së”, thuhet në vendim.
Tutje thuhet se pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kontestimi publik, pengimi i zbatimit apo veprimi në kundërshtim me vendimet legjitime të shumicës përbën cenim të unitetit institucional dhe të rregullit partiak.






