
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar që nga janari, kur kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme”, ka shkruar Bajrami.
Ajo tha se pas rezultateve të dobëta zgjedhore, përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se duhet të zbatohet parimi që ata që humbin marrin përgjegjësi dhe hapin rrugë për ndryshime.
Sipas saj, në Kuvendin e LDK-së të mbajtur pas zgjedhjeve të janarit, rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar në favor të dorëheqjes së Abdixhikut, gjë që sipas saj tregonte nevojën për reflektim të thellë brenda partisë.
“Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë”, ka shkruar ajo.
Bajrami theksoi se LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapjen e një kapitulli të ri që, sipas saj, do të rikthente besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve.
“LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh”, ka përfunduar Bajrami.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po përballet me presion në rritje për dorëheqje, pasi tri degë të partisë kanë kërkuar zyrtarisht largimin e tij pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit.
Abdixhiku u është përgjigjur kritikëve brenda partisë, duke thënë se ata që sot kërkojnë dorëheqjen e tij janë të njëjtët persona që, sipas tij, kanë sabotuar LDK-në dhe nuk ia kanë dashur të mirën.
Ai ka mbrojtur drejtimin e tij të partisë, ndërsa debatet e brendshme në LDK janë intensifikuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, duke siguruar 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.






