35 vjet nga referendumi i vitit 1991, Kurti publikon fletëvotimin: Përfaqëson ngjarje me rëndësi historike

LajmeYesterday44 Views

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 35-vjetorin e referendumit për pavarësinë e Kosovës nga Jugosllavia, të mbajtur nga data 26 deri më 30 shtator të vitit 1991.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka publikuar një fotografi të fletëvotimit të asaj kohe, duke e cilësuar këtë proces si një ngjarje me peshë të jashtëzakonshme historike.

Ai theksoi se ky referendum erdhi pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.

Këto ditë po bëhen 35 vite prej kur nga data 26 deri më 30 shtator të vitit 1991, në tërë Kosovën u mbajt një referendum demokratik për pavarësimin e Republikës së Kosovës nga Jugosllavia, si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo republikë ishte shpallur një vit më parë më 1990, me Deklaratën Kushtetuese të miratuar më 2 korrik në Prishtinë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar më 7 shtator në Kaçanik“, ka shkruar Kurti.

Kreu i qeverisë ka risjellë në vëmendje edhe shifrat e asaj ngjarjeje, ku mbi 99 për qind e qytetarëve që votuan u deklaruan pro pavarësisë.

Nga 1 051 357 qytetarë me të drejtë vote, 914 802 prej tyre apo 87.01 % morën pjesë në referendum, kurse 12.9 % apo 136 555 nuk dolën në referendum. Nga këto vota, 913 705 qytetarë votuan për ‘Po’ kurse vetëm 164 votuan kundër me ‘Jo’, teksa 933 fletëvotime rezultuan të pavlefshme. Kështu, gjithsej 99.87 % e qytetarëve votuan për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, vetëm dy vite pasi Serbia me dhunë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës si subjekt kushtetues e njësi konstituive e federatës së ish-Jugosllavisë“, theksoi ai.

Sipas kryeministrit, referendumi i shtatorit 1991 ishte momenti kur populli i Kosovës shprehu për herë të parë lirisht vullnetin për vetëvendosje para syve të botës demokratike.

Përmes këtij referendumi, populli i Kosovës ia bëri me dije Evropës dhe botës demokratike aspiratën e tij politike që Kosova të jetë një shtet i pavarur dhe sovran, si dhe i barabartë me shtetet e tjera demokratike. Kjo nënkuptonte që Kosova duhej çliruar e shkëputur nga Jugosllavia dhe Serbia pushtuese. Kjo aspiratë u realizua tetë vite më pas, në qershor të vitit 1999, pas një dekade të përshkuar nga mosbindja civile dhe rezistenca paqësore, pasuar nga rezistenca e armatosur dhe kulmuar nga lufta e drejtë çlirimtare e popullit tonë, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si bartëse e saj, e ndihmuar më pas nga shtetet aleate të NATO-s, drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës“, nënvizoi kryeministri.

Në fund, Kurti ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan ndër vite për lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.

 Andaj për mot, si sot, i kujtojmë zhvillimet dhe ngjarjet që e shkëputën Kosovën nga epoka e shtypjes dhe dhunës shtetërore, nga eksploatimi ekonomik dhe diskriminimi politik, nga spastrimi etnik dhe gjenocidi, të gjitha këto të ushtruara nga regjimi i Serbisë ndër dekada të tëra. Me mirënjohje, nderim e respekt për të gjitha gjeneratat e aktivistëve që e mirëmbajtën përpjekjen dhe angazhimin e popullit të Kosovës për liri e bashkim, pavarësi e demokraci, për shtet dhe përparim!“, ka përfunduar Kurti. 

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...