
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj disa reagimeve pas dënimeve të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka kritikuar ata që, sipas tij, po përpiqen të dekurajojnë shprehjen e revoltës qytetare ndaj vendimeve të gjykatës.
Ai ka akuzuar disa figura publike se po relativizojnë reagimet kundër dënimeve dhe se po kontribuojnë në krijimin e një narrative negative për luftën e UÇK-së.
Sipas Haradinajt, në opinionin publik ka nisur ajo që ai e quajti “propagandë e dekurajimit” ndaj qytetarëve që kundërshtojnë vendimet e Hagës.
Ai shtoi kjo qasje është vazhdimësi e një narrative që ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së gjatë dy dekadave të fundit.
Postimi i plotë:
Çfarë hipokrizie! Nga Kosova mbështeste e protestonte në Tiranë për lirinë e flamingove në Zvërnec, e sot i gëzohet kafazit të Çlirimtarëve në Hagë!
Disa matrapazë publikë e paskan filluar propagandën e dekurajimit të shprehjes së revoltës qytetare për dënimet e Hagës: “jo kështu, jo ashtu, jo foli ky, jo foli ai…” Me fillimin e kësaj lufte speciale për relativizim, po synojnë ta arrijnë dorëzimin qytetar në mbrojtje dhe besim se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.
Ky është i njëjti trend destruktiv në krijimin e narrativës që e ka gërryer Kosovën qe 20 vjet: e shkatërruan vendin, katundarë, të pashkollë, hajna, milionerë…
Sot nuk ka rrugë të mesme: ose i gëzohesh dënimit si Serbia, ose e kundërshton atë me dinjitet si qytetar e shqiptar.
Po lirisë së shprehjes, por JO e madhe për ju që jeni në shërbim të kësaj agjende dashakeqe.
Marre për ju!






