Studentët, mërgimtarët, veteranët: Protestat e paralajmëruara për ditët në vijim pas vendimit në Hagë

Lajme1 week ago18 Views

Mijëra qytetarë kanë protestuar për tri net radhazi në Prishtinë, ndërsa pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë janë paralajmëruar edhe tubime të tjera, kjo pasi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vite burg

Sonte, nga ora 21:00, pritet të zhvillohet sërish protestë në sheshin “Skënderbeu”, me moton “Jo në emrin tim”. Gjatë tri netëve të kaluara, protestuesit janë nisur nga sheshi drejt zyrave të EULEX-it, ku kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Hagës.

Përveç protestës së së shtunës, janë paralajmëruar edhe tubime të tjera.

Studentët pritet të protestojnë të hënën, nga ora 12:00. Lajmi është bërë i ditur nga Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Të hënën, protesta e radhës në mesditë. Tetori i studentëve, si atëherë kur i mbushën rrugët e Prishtinës, po vjen. Brez pas brezi me UÇK-në!”,ka shkruar ai.

Protesta janë paralajmëruar edhe nga mërgimtarët. Me moton “Jo në emrin tim”, bashkatdhetarët që jetojnë në Gjermani janë ftuar të marrin pjesë në protestën që pritet të mbahet sonte në Stuttgart.

Protesta është paralajmëruar të nisë nga ora 19:00 dhe, sipas raportimeve, është organizuar nga disa të rinj shqiptarë që jetojnë në Gjermani.

Një protestë të radhës e kanë paralajmëruar edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka bërë të ditur se vendimi për protestën e radhës pritet të merret të hënën, kur pritet të mblidhet Kryesia e organizatës.

Syla ka thënë se protestat mund të organizohen edhe jashtë Prishtinës, përkatësisht në komunat ku OVL-UÇK-ja ka degët e saj.

“Do të vazhdojmë me protesta. Besojmë të hënën do të mblidhet Kryesia prapë. Edhe do të marrim vendim për protestën e radhës. Po tash t’ia shohim, ndoshta do t’i ndërrojmë idetë… Ka mundësi që të mërkurën vendosim me pasë protestë. Por kemi menduar me decentralizua protestën. Ka mundësi me realizua në komuna ku i kemi degët tona që funksionojnë atje”, tha ai për Kosova Press.

Në protestat e zhvilluara gjatë ditëve të fundit kanë marrë pjesë mijëra qytetarë.

Në mesin e protestuesve ishin edhe fëmijët e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë edhe në protestat e tjera që pritet të organizohen në ditët në vijim.

“Patjetër, i ftoj të gjithë që të marrin pjesë”, tha Endrit Thaçi.

Ndërkaq, Klestor Veseli tha se e mbështesin çdo organizim të kësaj natyre dhe se do të jenë të pranishëm edhe në protestat e ardhshme.

“Padyshim po, çdo organizim që është për këtë kauzë do ta mbështesim dhe do të jemi prezentë, sepse në fund, kjo është një mbështetje që populli po na jep neve për familjarët tanë dhe UÇK-në”, tha ai.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...