
Pas vendimit të Gjykatës Speciale, komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, deklaroi ndër të tjera se Gjykata Speciale është një organ “i pavarur dhe i paanshëm”. Për këtë reagoi Luka Mišetić, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili vuri në dyshim paanshmërinë e këtij organi.
Duke i reaguar komisioneres, Misetic bashkëngjiti edhe raportin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Shoqatës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), i cili ka ngritur çështje lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e Dhomave të Specializuara. Raporti, i publikuar në maj 2026, është një vlerësim paraprak dhe evidenton shqetësime për pavarësinë gjyqësore, barazinë e palëve, pranueshmërinë e provave dhe mënyrën e funksionimit praktik të gjykatës.
Raporti ngre një seri shqetësimesh konkrete strukturore dhe procedurale që prekin pikërisht temat e pavarësisë dhe paanshmërisë: mënyrën e emërimit dhe caktimit të gjyqtarëve, mungesën e gjyqtarëve kosovarë, lidhjen mes financuesve dhe nominuesve, mundësinë e kufizuar për të sfiduar Presidenten në funksionet e saj, takimet e mbyllura me diplomatë, deklaratat e atribuuara drejtuesve të gjykatës dhe prokurorisë, si dhe mënyrën e trajtimit të provave.
Çfarë thotë konkretisht raporti për pavarësinë dhe paanshmërinë?
Problemi i mënyrës së emërimit të gjyqtarëve
Raporti vëren se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara janë vetëm ndërkombëtarë dhe se nuk ka gjyqtarë nga Kosova. Më tej, thekson se kandidatët për gjyqtarë propozohen nga shtetet që financojnë gjykatën, përkatësisht shtetet e BE-së dhe shtetet kontribuuese si SHBA-ja, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.
Sipas autorëve, kjo mbivendosje mes shteteve financuese dhe atyre që kontrollojnë nominimet mund të dobësojë, të paktën në perceptim, pavarësinë institucionale të gjykatës.
Raporti shkon edhe më tej, duke thënë se ky model është i pazakontë krahasuar me disa gjykata të tjera të ndërkombëtarizuara, ku zakonisht ekziston një “mixed bench”, pra kombinim i gjyqtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Autorët shkruajnë se, kur përbërja e trupit gjykues përkon me përbërjen e shteteve kryesore që financojnë dhe nominojnë, dobësohet “pamja e pavarësisë institucionale” nga këto shtete dhe kërkohet më shumë transparencë për marrëdhënien mes gjykatës dhe financuesve të saj.
Një tjetër problematikë që ngre ky raport është takimi diplomatik i dhjetorit 2020, i cili lidhet drejtpërdrejt me çështjen e paanshmërisë.
Takimi diplomatik i dhjetorit 2020
Sipas raportit, në dhjetor 2020, Presidentja e Speciales, Prokurori i atëhershëm Special Jack Smith dhe Regjistrari morën pjesë së bashku në një brifing diplomatik me përfaqësues të shumë shteteve të BE-së dhe shteteve kontribuuese.
Ky takim, sipas raportit, nuk iu bë i ditur mbrojtjeve në rastet në zhvillim. Një përfaqësues i një misioni diplomatik më pas ua dorëzoi ekipeve mbrojtëse një shënim për takimin.
Raporti nënvizon se shënimi ishte anonim dhe i pakonfirmuar, pra autorët e klasifikojnë si hearsay dhe paralajmërojnë se duhet trajtuar me kujdes. Në të njëjtën kohë, ata theksojnë se as Presidentja dhe as Prokurori Special nuk i mohuan drejtpërdrejt deklaratat që iu atribuoheshin.
Në rastin e Prokurorit Special, raporti thotë se deklaratat e atribuuara atij për pengimin e drejtësisë, kërcënimin e dëshmitarëve dhe Thaçin mbetën në dosje “të pakundërshtuara” dhe se kjo ngre çështje edhe për prezumimin e pafajësisë.
Më tej, raporti vëren se një pjesë e këtyre deklarimeve iu bënë përfaqësuesve të shteteve që mund të kishin rol praktik në mundësinë e lirimit të Thaçit. Prandaj, sipas autorëve, nëse deklaratat janë bërë siç janë raportuar, kjo prek jo vetëm prezumimin e pafajësisë, por edhe integritetin e procesit të lirimit të përkohshëm.
Autorët e quajnë problematik faktin se mbrojtja nuk ishte njoftuar për takimin, nuk kishte mundësi të reagonte dhe nuk kishte mënyrë ta kundërshtonte atë që ishte thënë, derisa shënimi u bë i ditur nga një burim anonim.
Pikërisht për këtë, raporti rekomandon që takime të tilla diplomatike të rregullohen me një protokoll publik, që palët të njoftohen kur zhvillohen dhe që deklaratat që lidhen me proceset gjyqësore të bëhen të ditura. Autorët sugjerojnë madje që në takime të tilla të ketë edhe një përfaqësues të interesit të mbrojtjes, për shembull Avokati i Popullit të Speciales.
Raporti ngre shqetësime për provat
Një pjesë tjetër e rëndësishme lidhet me mënyrën e pranimit të provave. Raporti thotë se KSC u jep paneleve gjykuese hapësirë të gjerë diskrecionale për të vendosur se kur dhe si shqyrtohet pranueshmëria e provave. Në disa raste, provat janë futur paraprakisht në dosje dhe çështja e vlerës së tyre është lënë për fund të gjykimit. Sipas autorëve, kjo mund të krijojë pasiguri dhe vështirësi për mbrojtjen.
Për rastin Thaçi, raporti vëren se në përfundim të procedurës ishin dhënë dëshmi nga 134 dëshmitarë dhe ishin pranuar edhe shumë deklarata me shkrim pa dëshmitarin përkatës në sallë. Autorët thonë se kjo ngre pyetjen nëse një aktgjykim mund të qëndrojë nëse mbështetet vendimtarisht mbi dëshmi të paprovuara përmes kundërpyetjes.
Provat nga Serbia
Këtu raporti është veçanërisht i kujdesshëm, por ngre një çështje konkrete.
Autorët thonë se dokumentet e siguruara nga autoritetet serbe nuk mund të konsiderohen automatikisht të papranueshme vetëm për shkak të origjinës së tyre. Por, duke marrë parasysh interesin politik dhe institucional të Serbisë në rezultatin e proceseve kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, raporti thotë se duhet të shqyrtohen veçanërisht autenticiteti dhe zinxhiri i ruajtjes së këtyre provave.
Raporti përmend se Serbia ka deklaruar publikisht se ka mbledhur dokumente për krimet e pretenduara të UÇK-së dhe ka punuar për gjetjen e dëshmitarëve. Autorët theksojnë se kjo nuk provon vetvetiu ndonjë parregullsi, por tregon se Serbia e ka trajtuar bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale edhe si çështje të interesit të saj shtetëror.
Në një rast, raporti kritikon edhe mënyrën se si u trajtuan disa dokumente me origjinë serbe: paneli tha se barra e provës nuk i takonte mbrojtjes, por më pas përdori mungesën e një shpjegimi bindës nga mbrojtja si arsye në pranimin e tyre. Autorët e quajnë këtë një kundërthënie që, praktikisht, mund ta zhvendosë barrën te mbrojtja.
Përderisa nga institucionet ndërkombëtare vazhdohet të thuhet se Gjykata Speciale është e pavarur dhe e paanshme, raporti i pavarur juridik i BHRC-së ngre shqetësime konkrete lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë, si dhe me disa aspekte strukturore e procedurale të funksionimit të saj.
Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u dënuan më 16 shtator në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./Nacionale/






