
Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ka reaguar në rrjete sociale pas dënimit të babait të tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Përmes një postimi të gjatë, Veseli ka rrëfyer momentet para dhe gjatë shpalljes së aktgjykimit, duke përshkruar emocionet e familjarëve dhe takimin me babain e tij në sallën e gjyqit.
Ai ka thënë se familja e tij dhe familjet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nuk janë frikësuar nga drejtësia, por nga politika.
“As unë, as familja ime, as familja e axhit Hashim, as ajo e bacës Jakup, e as ajo e axhës Rexhë nuk jemi frikësu nga drejtësia, por nga politika”, ka shkruar Veseli.
Sipas tij, babai i tij dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë të pafajshëm, ndërsa ka shprehur bindjen se Apeli do ta korrigjojë vendimin.
“Përballë kësaj padrejtësie, ne vazhdojmë të besojmë në botën perëndimore, vazhdojmë të besojmë se Apeli do e korrigjoj këtë vendim kaq të zhytur me politikë dhe padrejtësi, komplet kundër vlerave që përfaqëson bota e perëndimit”, ka shkruar ai.
Veseli ka rrëfyer edhe momentin kur sytë iu takuan me babain e tij në sallën e gjyqit, duke i bërë me shenjë në gjuhën e shenjave “të dua”.
Në fund të reagimit, ai ka thënë se familjet e tyre nuk do të dorëzohen dhe se do të vazhdojnë të besojnë në drejtësi.
“Njeriu përgjigjet dhe mund të gjykohet vetëm nga dy entitete: nga Zoti, dhe nga populli i tij. E para Zotit e popullit Shqiptarë, babi im, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, dhe Pjetër Shala gjithmonë do të dalin me faqe të bardhë”, ka përfunduar ai.






