Haxhiu e shpall Kuvendin të konstituuar, PDK-ja paralajmëron betejë në Kushtetuese

Lajme2 weeks ago38 Views

Kryetarja Albulena Haxhiu e ka shpallur të konstituuar legjislaturën XI të Kuvendit, pavarësisht mungesës së PDK-së dhe moszgjedhjes së nënkryetarit të saj.

“Konsideroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar”, deklaroi Haxhiu.

Kujtim Shala nga LDK-ja u zgjodh nënkryetar me 75 vota për. Ndërsa Tanja Vujoviq u zgjodh pas tetë kandidaturave të dështuara të Listës Serbe. Vujoviq mori mbështetjen e deputetëve të LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.

Nga minoritetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Kujtojmë se disa orë më parë, Vetëvendosja ndryshoi qëndrimin dhe paralajmëroi mbështetje për Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së.

VV-ja e arsyetoi kthesën me nevojën për stabilitet institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet!”, thuhej në komunikatë.

Por PDK-ja nuk u kthye në sallë. Përmes një letre dyfaqëshe, kjo parti njoftoi tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Çitakut.

“Përmes kësaj shkrese, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftojmë për tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së znj. Vlora Çitaku për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

PDK-ja e paraqet vendimin si pasojë të tejkalimit të afateve kushtetuese, jo si heqje dorë nga përgjegjësia institucionale.

“Kushtetuta nuk i përcakton afatet si orientime politike dhe as si rekomandime që mund të respektohen ose të shpërfillen varësisht nga interesat e shumicës parlamentare”, thuhet në dokument.

Partia i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe paragrafit 140 të Aktgjykimit KO124/25. Sipas saj, konstituimi duhej të përfundonte brenda 30 ditëve.

Afati kishte përfunduar më 7 gusht, ndërsa partia e udhëhequr nga Bedri Hamza tha se nuk u respektua as zotimi publik për përmbylljen e procesit deri më 6 shtator.

PDK-ja bëri të ditur se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit për shkak të rëndësisë së 16 shtatorit dhe procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Partia njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne tërheqim (pezullojmë) kandidaturën tonë për nënkryetare të Kuvendit dhe nuk do të marrim pjesë në vazhdimin e një procesi, i cili, në vend që të prodhojë konstituimin e Kuvendit, është shndërruar në një seri seancash pa rezultat institucional”, thuhet në letër.

Ngërçi kishte kaluar nëpër disa arsyetime. Haxhiu fillimisht kundërshtoi formulimin “populli serb” gjatë propozimit të kandidatit të Listës Serbe.

Më pas ajo deklaroi se kandidatët e PDK-së dhe LDK-së nuk i kishin votat, ndonëse emrat nuk u hodhën menjëherë në votim.

I njëjti formulim ishte përdorur nga Lista Serbe më 2021, kur propozimi ishte mbështetur edhe nga VV-ja.

Koha e ndryshimit të kursit ka nxitur reagime nga opozita se procesi u shty për ta afruar kalendarin me zgjedhje të mundshme më 27 dhjetor.

Sipas këtij skenari opozitar, 60 ditët për procedurën presidenciale dhe afati pasues 45-ditor për zgjedhje përfundojnë pikërisht më 27 dhjetor.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...