Edhe miku i vjetër i Donald Trump-it shpërndan videon e Marshit për liri

Përzgjedhja Jonë2 weeks ago201 Views

Pas Richard Grenell-it, postimi për marshimin e Prishtinës në mbështetje të Thaçit arrin te Roger Stone — një nga aleatët më të njohur të presidentit amerikan.

Marshimi i së shtunës në kryeqytet, i organizuar katër ditë para shpalljes së aktgjykimit në Dhomat e Specializuara të Hagës, ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe ka hyrë në rrjetin e figurave më të afërta me presidentin amerikan Donald Trump.

Pas i dërguarit special Richard Grenell, i cili citoi videon e marshit nga Prishtina, të njëjtin mesazh e ka shpërndarë edhe Roger Stone — konsulent politik dhe mik i vjetër i Trump-it, i njohur prej dekadash në rrethet konservatore amerikane.

Nga Grenell te Stone

Në postimin e tij në platformën X, Grenell theksoi se më 16 shtator Haga shpall verdiktin në çështjen kundër ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai shkroi se Thaçi ndodhet prej gjashtë vitesh në paraburgim, “që nga momenti kur Jack Smith arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës, ndërsa ai po udhëtonte drejt Uashingtonit” për bisedimet e marrëveshjes ekonomike Kosovë–Serbi në Zyrën Ovale.

Grenell shtoi se çështjet e Jack Smith-it në Shtetet e Bashkuara “kanë dështuar të gjitha” dhe se kjo në Evropë “është e fundit që i ka mbetur”. Sipas tij, edhe demokratë amerikanë kanë dëshmuar në Hagë në favor të Thaçit, duke deklaruar nën betim se pretendimet e prokurorit ishin të pavërteta. 

“Pra, ekziston mbështetje dypartiake amerikane për Thaçin… dhe kundër Jack Smith-it. Tani gjithçka varet nga vendimi i Hagës më 16 shtator,” shkroi Grenell.

Pak më vonë, Roger Stone e ribotoi këtë postim. Shpërndarja nga Stone e çon mesazhin e marshit të Prishtinës te një audiencë tjetër e rëndësishme e spektrit republikan amerikan.

Të shtunën, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në “Marshin për Liri / Marshin për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjykohen në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në një postim që u bë pjesë e zinxhirit të shpërndarjes ndërkombëtare, u raportua se rreth 200.000 qytetarë kishin dalë në rrugë, me thirrje të forta “Hashim Thaçi, Hashim Thaçi!”. Protesta u zhvillua vetëm katër ditë para se Gjykata Speciale të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, të caktuar për 16 shtator 2026, ora 10:00.

Dhomat e Specializuara e kanë shtyrë disa herë datën e verdiktit, duke shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë, ku një pjesë e opinionit e sheh procesin si të politizuar dhe të padrejtë ndaj luftës së UÇK-së/Gazeta Journal/

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...