
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka mbajtur fjalim në Marshin për Liri që po zhvillohet në Prishtinë, në mbështetje të katërshes së UÇK-së.
Para një numri të madh qytetarësh të mbledhur në këtë marsh, Gucati tha se protesta nuk është për mbrojtjen e individëve, por për, siç u shpreh ai, mbrojtjen e së vërtetës së një populli që luftoi për mbijetesë, liri dhe shtetin e Kosovës.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu për të mbrojtur individin, por jemi mbledhur për të mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për të mbijetuar, për të qenë i lirë dhe për të pasuruar shtetin tonë”, tha Gucati.
Ai tha se UÇK-ja, sipas tij, nuk e krijoi shtypjen, por u ngrit kundër saj, duke kërkuar që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të jetë i drejtë dhe i paanshëm.
“Ne kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt të plotë për të drejtat e secilit të akuzuar. Kosova nuk ishte vetëm, por kishte mbrapa SHBA-në dhe superfuqinë botërore, NATO-n. Ishin aleatët tanë në ditët më të vështira, kur populli ynë luftonte për mbijetesë. Prandaj, ne e dimë se dënimi ndaj krerëve të UÇK-së nuk do të ishte thjesht një goditje ndaj tyre, por edhe ndaj të vërtetës së luftës së UÇK-së”, deklaroi Gucati.






