
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë thirrje për mobilizim në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të 16 shtatorit.
Haxhiu ka bërë të ditur se, së bashku me bashkëluftëtarë, bashkëfshatarë, miq e familjarë, në fshatin Tërnavcë kanë vendosur figurat e krerëve të UÇK-së.
Ai ka njoftuar se më 12 shtator, në orën 14:00, do të mblidhen në Prishtinë, ndërsa ka thënë se më 16 shtator presin drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
“Ata luftuan për lirinë tonë. Sot ne ngrihemi për lirinë e tyre!”, ka shkruar Haxhiu.
Ai ka theksuar se nga Tërnavci, Drenica, Kosova dhe mbarë shqiptaria, mesazhi është i qartë.
“UÇK-ja është krenaria jonë! Historia nuk mund të shkruhet ndryshe. Liri për Çlirimtarët! Kosova po ju pret!”, ka përfunduar Haxhiu






