
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka akuzuar kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, se ka paraqitur deklarata të pavërteta të saj, duke komentuar përplasjet e fundit brenda LDK-së lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Në një postim në Facebook, Ymeri ka reaguar ndaj deklaratave të Abdixhikut, i cili, sipas saj, ka pretenduar se ajo është shprehur se “nuk ndien për partinë”.
Ymeri ka thënë se deklaratat e saj janë përdorur në videot e Lëvizjes Vetëvendosje, duke akuzuar Abdixhikun se po i sulmon deputetët e partisë së tij.
“Përveç sulmeve, ka edhe veshje të deklaratave tërësisht të pavërteta, në këtë rast për mua”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka mohuar se ka thënë se nuk i respekton organet e LDK-së, duke theksuar se nuk i ka përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin e partisë.
“As që i kam përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin, e aq më pak të kem thënë se nuk i respektoj. Si mund të thoja diçka të tillë, kur vetë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm?”, ka deklaruar ajo.
Ymeri ka sqaruar se kundërshtimi i saj lidhet me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Ajo ka thënë se ishte deklaruar kundër votës për Vetëvendosjen që para zgjedhjeve, ndërsa ka shprehur kundërshtime edhe për profilin e kandidatit.
Sipas saj, në deklarimin e saj kishte theksuar se i merr parasysh pasojat që mund të vijnë nga organet e partisë dhe se i respekton ato, por se kjo nuk e ndryshon qëndrimin e saj.
Ymeri ka thënë se për deklaratat e saj ka edhe dëshmitarë.
“Se pse është ndjerë në hall kryetari i partisë sime për të shpikur deklarata të paqena nuk e di, por unë kam dëshmitarë 15 deputetë të tjerë, 1 anëtar kryesie dhe 2 persona nga stafi i selisë, të cilët ishin të pranishëm në sallë”, ka shkruar ajo.
Ymeri është njëra nga gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president. Kundërshtimi i tyre ka shkaktuar tensione të reja brenda partisë dhe ka vënë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, duke komentuar zhvillimet dhe negociatat e fundit politike, Ymeri ka lënë të kuptohet se pas tyre mund të ketë çështje të tjera që nuk janë bërë publike.
“Jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike”, ka shkruar ajo.
Ymeri ka qenë vazhdimisht kritike ndaj Qeverisë Kurti lidhur me politikat dhe vendimet në sektorin e energjetikës, duke e akuzuar atë për keqpërdorime në këtë fushë.






