
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë pas dorëheqjes së tyre në vitin 2022.
OSBE-ja ka bërë thirrje që KGJK-ja të plotësojë menjëherë pozitat e lira përmes procedurave transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në meritë për rekrutimin dhe emërimin e gjyqtarëve dhe stafit.
Në reagimin e saj, OSBE-ja ka theksuar se këto procedura duhet të jenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, veçanërisht sa i përket përfaqësimit të komuniteteve.
“Misioni i bën thirrje KGJK-së që të plotësojë menjëherë pozicionet vakante përmes procedurave transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në meritë të rekrutimit dhe emërimit”, thuhet në reagim.
Sipas OSBE-së, një sistem gjyqësor që pasqyron komunitetet të cilave u shërben është thelbësor për garantimin e qasjes së barabartë dhe efektive në drejtësi për të gjithë qytetarët.






