
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes së gruas 80-vjeçare në Prizren. I dyshuar për krimin është bashkëshorti i viktimës.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu kërkoi hetim të shpejtë e të plotë dhe që autori të marrë dënimin më të ashpër.
“Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre”, shkroi ajo.
“Më tronditi lajmi për vrasjen e një gruaje 80-vjeçare në Prizren. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër grua u vra, ndaj këto nuk mund të trajtohen si raste të izoluara. Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave! Jeta dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të mbrohen me çdo mjet.
Kërkoj nga organet e drejtësisë hetim të plotë dhe të shpejtë dhe që autorët, të marrin dënimin më të ashpër të paraparë me ligj. Çdo rast duhet të zbardhet deri në fund, por po aq e rëndësishme është që dhuna të njihet dhe të ndalet para se të përfundojë në vrasje.
Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre.
Familjes së të ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta”.






