LDK dhe Aleanca me kritika për energjinë: “Milionat s’janë ndalur”, “po fiton mafia energjetike”

Lajme1 month ago50 Views

Dy partitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, kanë adresuar sot kritika ndaj Qeverisë në detyrë Kurti për çështjen e energjisë.

LDK-ja është fokusuar te të dhënat financiare të KEK-ut, ndërsa Aleanca ka kritikuar politikat energjetike dhe mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, duke iu referuar raportit vjetor të KEK-ut, ka theksuar se ndërmarrja për vitin 2025 ka raportuar 10.1 milionë euro fitim neto, ndërsa të hyrat nga shitja e energjisë elektrike kanë arritur në 166.7 milionë euro. Sipas saj, në vitin 2024 shitjet e energjisë kishin qenë 195.7 milionë euro.

Ymeri ka thënë se këto të dhëna tregojnë se aktiviteti financiar i KEK-ut ka vazhduar, duke ngritur njëkohësisht pikëpyetje mbi gjendjen e sektorit dhe aspektin e sigurisë energjetike.

“Nga ana financiare, KEK për 2025, ka raportuar fitim Neto 10.1 Milionë.

Shitja e rrymës 166.7 Milionë Euro

Shitja e rrymës (2024) 195.7 Milionë Euro.

Shënime nga raporti vjetor KEK.

Milionat pra nuk janë ndal asnjiherë, edhe lëvdatat, vetëm siguria ka pas mbet ndonëse ishte aspekt më i rëndësishëm”, ka shkruar ajo.

Aleanca ka zgjedhur një aksion simbolik për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të Qeverisë në sektorin e energjisë.

Deputeti Burim Ramadani, i shoqëruar nga anëtarë të partisë, ka vendosur disa thasë me qymyr para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë.

Përmes këtij aktiviteti, Ramadani ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke vlerësuar se vendi po kalon nga një krizë e thellë energjetike drejt një krize të re politike.

“Duam ta dërgojmë mesazhin se me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik”, deklaroi Ramadani gjatë aksionit.

Ai ka shtuar se Kosova vazhdon të dështojë në shfrytëzimin e rezervave të saj natyrore për prodhimin vendor të energjisë, duke përmendur edhe propozimin programor të partisë së tij për ndërtimin e kapaciteteve të reja.

“Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu dhe një prej pikave kryesore të ofertës gjashtë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet”, tha Ramadani.

Më tej, Ramadani ka ngritur akuza për dëmtim të buxhetit publik përmes importit të energjisë elektrike nga jashtë, duke përfituar qarqe të caktuara të dyshimta.

“Është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e në vende të tjera, e prej kësaj ka fituar vetëm mafia energjetike”, u shpreh ai.

Deputeti ka shprehur shqetësimin për sigurinë dhe jetën e punëtorëve në sektorin e nxjerrjes së qymyrit, duke dënuar mungesën e llogaridhënies institucionale.

“Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, përfundoi Ramadani.

Së fundmi, një seri aksidentesh me fatalitet në KEK ka ngritur alarmin mbi sigurinë e punëtorëve. Rasti më i rëndë ndodhi më 20 gusht, ku 32-vjeçari Arbenit Ahmeti vdiq tragjikisht nga kontakti me tensionin 6 kV teksa po barte kabllot elektrike.

Humbja e jetës së Ahmetit shënoi fatalitetin e tretë brenda pak javësh në KEK. Vetëm pak ditë më parë, më 16 gusht, humbi jetën Haxhi Gojnovci (59 vjeç), teknik i xehtarisë me një përvojë katërdekadëshe në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, pas lëndimeve të rënda të pësuara në zonën e ekskavatorit. Ndërkohë, në korrik kishte humbur jetën edhe xehetari Milazim Binaku.

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar me tone të ashpra, duke kërkuar dorëheqje morale dhe duke denoncuar mungesën kronike të pajisjeve mbrojtëse, vjetërsinë e makinerive dhe kushtet e rënda në të cilat minatorët operojnë çdo ditë.

Duke iu referuar pikërisht këtyre ngjarjeve tragjike, Ramadani ka përmbyllur aksionin duke drejtuar gishtin kah drejtuesit e institucioneve.

“Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, theksoi ai.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...