
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje për vendimin e PDK-së dhe AAK-së për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur për të martën, duke e cilësuar këtë qëndrim si “të gabuar” dhe “të pamatur”.
Haxhiu ka thënë se qytetarët e Kosovës e kanë shprehur vazhdimisht vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve, ndërsa sipas saj, përgjegjësia e udhëheqësve politikë është që këtë vullnet ta zbatojnë në praktikë.
“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë. Qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu kishte ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre për një takim të përbashkët të martën në orën 9:00.
Sipas thirrjes së saj, takimi është konsultativ dhe lidhet me zhvillimet aktuale politike e institucionale, rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për president konsensual, si dhe formimin e institucioneve të tjera.
Por ftesa është refuzuar nga PDK-ja.
Deputeti i kësaj partie, Uran Ismaili, e ka cilësuar atë si tentativë për manipulim të afateve dhe ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të dërgojë përfaqësues në takim.
“Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër (kryesuesit të seancës konstituive, Avni) Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgojë Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.
Edhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ka refuzuar ftesën e Haxhiut, sikurse edhe ftesat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takime me liderët e partive politike.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtorë për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Ndryshe nga PDK-ja dhe AAK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme që ka zhvilluar një numër takimesh me përfaqësues të Vetëvendosjes për mundësinë e bashkëqeverisjes.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë javë ka bërë të ditur se partia e tij heq dorë nga kërkesa që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, duke shprehur gatishmëri për negociata për gjetjen e një kandidati konsensual.
Megjithatë, në LDK të shtunën nuk kanë treguar nëse do të marrin pjesë në takimin e së martës të thirrur nga Haxhiu. Një ditë më parë, kjo parti kishte shprehur gatishmëri për ta takuar Kurtin.
Në anën tjetër, kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, nuk i është bindur kërkesave të subjekteve politike opozitare për vazhdimin e seancës për konstituimin e Legjislaturës së njëmbëdhjetë.
Në përputhje me qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Dehari ka thënë të shtunën se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje për presidentin dhe vetëm më pas do t’i dërgojë ftesat për vazhdimin e seancës.
“Si kryesues i seancës konstitutive u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për presidentin konsensual. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Duke arsyetuar vendimin për të mos e vazhduar seancën, Dehari ka thënë se një veprim i tillë mund të rrisë tensionet në Kuvend.
“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka thënë Dehari.
Ky arsyetim ka ngjallur reagime nga deputetë të PDK-së dhe AAK-së, ndërsa takimi i thirrur nga Haxhiu për të martën mbetet i pasigurt, në një kohë kur institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për daljen nga kriza.






