
Konjufca ka shprehur keqardhje për këtë qëndrim, duke theksuar se Kosova, që nga dita e parë e agresionit rus në shkallë të gjerë, ka qenë në mënyrë të palëkundur në krah të Ukrainës.
Ai ka përmendur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, përfshirë dënimin e pushtimit rus, përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të BE-së, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ofrimin e ndihmës humanitare dhe strehimit për gazetarët ukrainas, si dhe dhënien e ndihmës dhe trajnimit ushtarak në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës.
“E bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin e tij territorial është çështje parimore”, ka shkruar Konjufca në platformën “X”.
Ai ka theksuar se është i rëndësishëm edhe dallimi mes qëndrimit të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës në Ukrainë.






