Dyshohet për një varrezë të dytë masive në Zubin Potok, reagojnë Sveçla dhe Haxhiu

Lajme1 month ago47 Views

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon hetimet lidhur me dyshimet për ekzistimin e varrezave masive në Zubin Potok, ndërsa pas lokacionit në Kalludër, është identifikuar edhe një vend i dytë i dyshuar në fshatin Jabukë.

Sipas Prokurorisë, gjatë veprimeve hetimore është gjetur dhe identifikuar një lokacion ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të viktimave të luftës.

“Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme. Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas këtij zhvillimi ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka bërë të ditur se në Jabukë është gjetur një tjetër varr masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Sveçla ka akuzuar Serbinë se vazhdon të fshehë informacione për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, ndërsa në anën tjetër kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve”, ka shkruar Sveçla.

Ai u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të dënojnë dhe ndëshkojnë sjelljet e Serbisë, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë kërkimet deri në zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar dyshimin për ekzistimin e një varreze të dytë masive si një rikujtim të rëndë të krimeve të luftës dhe dëshmi se drejtësia ende nuk është vendosur plotësisht.

“Dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar punën e institucioneve, ekspertëve mjekoligjorë dhe ekipeve profesionale të angazhuara në kërkimin e personave të zhdukur, duke theksuar se çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës.

“Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka shprehur solidaritet me familjet e personave të zhdukur, duke ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e plotë të fatit të viktimave të luftës.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...