
Në një postim publik, Osmani ka thënë se Serbia ende mban të fshehur fatin e rreth 1,600 personave të zhdukur, ndërsa mijëra familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e mungesës së më të dashurve të tyre.
Ajo ka rikujtuar rrëmbimin e 23 intelektualëve nga Mitrovica në prill të vitit 1999, duke theksuar se kontributi i tyre në arsim, shëndetësi dhe çështjen kombëtare do të mbetet gjithmonë në kujtesën e qytetarëve.
Sipas Osmanit, zbulimi i varrezës masive, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, përbën një lehtësim për familjet, por njëkohësisht është edhe një kujtesë e dhimbshme për krimet e kryera gjatë luftës.
Në fund të reagimit të saj, ajo ka bërë thirrje për unitet, duke theksuar se përballë dhimbjes së familjeve të personave të zhdukur dhe kërcënimeve që, sipas saj, vazhdojnë të vijnë nga Serbia, dallimet mes qytetarëve nuk duhet të kenë rëndësi.






