
Ajo bëri të ditur se seanca konstituive do të mbahet më 6 gusht në orën 10:00, në përputhje me afatet kushtetuese, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik.
Sipas Haxhiut, rendi i ditës do të përfshijë formimin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, shqyrtimin e raportit të tij, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Ajo njoftoi gjithashtu se administrata e Kuvendit ka përfunduar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve, proces i cili do të zhvillohet nga 3 deri më 5 gusht, sipas subjekteve politike.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në LDK, Haxhiu e cilësoi si lajm të mirë faktin që Lumir Abdixhiku mbeti në krye të partisë pas votëbesimit të mbajtur në Kuvendin e Jashtëzakonshëm.
Sipas saj, kjo krijon hapësirë për vazhdimin e takimeve politike që kishin mbetur të pezulluara për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK.
“Është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë dhe të ketë përpjekje maksimale për të arritur një marrëveshje, me të cilën mund të sigurohet konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit”, tha Haxhiu.
Pas takimit, përfaqësuesja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se partia e saj do të angazhohet që partisë fituese të zgjedhjeve të mos i takojnë tri pozitat kryesore shtetërore, me qëllim të ruajtjes së balancës politike.
“Siç e kemi thënë, ne do të angazhohemi që partisë qeverisëse të mos i takojnë tri pozitat kryesore, me qëllim të ruajtjes së balancës politike. Varet krejt prej marrëveshjes politike pas negociatave”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i AAK-së, Besnik Tahiri, shprehu shqetësimin për vonesat në konstituimin e institucioneve, duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet pa shtyrje të mëtejshme.
Ai tha se çdo tentativë për ta zgjatur procesin përtej afateve do të dëmtonte vendin dhe, sipas tij, do të përforconte bindjen se stërzgjatja ka prapavijë zgjedhore.
Ndërkohë, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ritheksoi se partia e saj do të mbetet në opozitë dhe nuk do të jetë pjesë e një bashkëqeverisjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo tha se PDK-ja është e interesuar për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, por theksoi se ekzistojnë dallime të thella politike me LVV-në.
“Siç e dini, sot është mbajtur një takim për seancë konstituive, Partia Demokratike e Kosovës ka pozicion të qartë politik: ne do të jemi në opozitë, mirëpo po ashtu jemi të interesuar që sa më parë institucionet e Kosovës të konstituohen në mënyrë që të fillojnë të adresojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës. Kaq. Sot jam për të folur vetëm për seancën konstituive. PDK-ja do të jetë në opozitë. Jemi vite larg me Lëvizjen Vetëvendosje, përveç nëse nuk përqendrohemi te kjo e qartë.”, tha ajo.
Sipas Çitakut, çështja e zgjedhjes së presidentit është e rëndësishme sepse ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e qeverisjes dhe në mandatin e ardhshëm qeverisës.
“Kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë për sa i përket konstituimit të institucioneve dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por jo në bashkwqeverisje. Ndërkohë që opozita ka arritur për këtë kohë, ne ende duke diskutuar për të qenë në opozitë. Çështja e presidentit nuk është një vend pune. Zgjedhja e presidentit mundëson a i mundëson qeverisje kësaj qeverie. Për ne po ashtu është i rëndësishëm presidenti, është raporti me Shtetet e Bashkuara, gazsjellësi amerikan, sektori privat, liria e medias, sundimi i ligjit e edukata, ka shumë çështje rreth të cilave ne kemi dallime të thella. Dhe zgjedhja e presidentit i mundëson Lëvizjes Vetëvendosje edhe një qeverisje katër vite,” , tha Citaku.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet më 6 gusht, ndërsa partitë politike vazhdojnë konsultimet për hapat e mëtejshëm në procesin e formimit të institucioneve.






