LDK-ja në udhëkryq, delegatët votojnë për qëndrimin ose shkarkimin e Abdixhikut

Lajme1 month ago67 Views

Sot, 355 delegatë të LDK-së do të vendosin përmes votimit nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.

Kuvendi i jashtëzakonshëm, i thirrur pas kërkesës së mbështetur nga më shumë se një e treta e delegatëve, pritet të nisë në orën 18:00.

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, LDK-ja reagoi ndaj pretendimeve për ushtrim presioni ndaj delegatëve që të rreshtohen kundër Abdixhikut. Në reagimin e saj, partia theksoi se çdo formë presioni është e papranueshme.

“Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës mbi një delegat të LDK-së përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publikë dhe në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së, si dhe me ligjin”, thuhet në reagimin e partisë.

Pretendimet për presion u bënë publike të martën mbrëma nga zyrtarë të LDK-së gjatë një emisioni në RTV Dukagjini. Sipas tyre, gjatë procesit të mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm me synim shkarkimin e Abdixhikut, delegatë të caktuar janë përballur me presione.

LDK-ja ka njoftuar se do të iniciojë procedura disiplinore ndaj personave që rezultojnë të përfshirë në këtë rast.

“Do të iniciohen menjëherë procedurat statutare dhe disiplinore ndaj anëtarëve të përfshirë, pa dallim funksioni apo pozite. Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në reagim.

Përplasjet brenda LDK-së nisën pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku partia siguroi 16.7 për qind të votave.

Pas rezultatit zgjedhor, degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut. Meqenëse kjo kërkesë nuk u pranua, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.

Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi mund të thirret nëse kërkesa mbështetet nga të paktën një e treta e delegatëve. Nënshkrimet u dorëzuan në mes të korrikut, ndërsa Abdixhiku pezulloi negociatat për formimin e institucioneve deri në përfundimin e procesit të votëbesimit.

Në rast se Abdixhiku siguron mbështetjen e delegatëve dhe mbetet në krye të LDK-së, ai do të ketë rreth një javë kohë për t’iu rikthyer negociatave për formimin e institucioneve, pasi seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për 6 gusht.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...