Vazhon përplasja: Krasniqi e quajti “vrasës”, Rama paralajmëron padi

Lajme2 months ago29 Views

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi ndaj Alban Krasniqit, anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe bashkëshortit të ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pasi ky i fundit e ka akuzuar rëndë kryetarin e kryeqytetit duke e quajtur “vrasës”.

Krasniqi e ka bërë këtë reagim në një koment në një postim të Ramës, duke e bërë atë përgjegjës për vdekjen e një punëtori gjatë një aksidenti në një punishte në Prishtinë.

“Jo mirëmëngjesi, por alo prokuroria, o vrasës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Rama reagoi duke thënë se gjuha e urrejtjes nuk e ndryshon ligjin dhe se përgjegjësitë për kontrollin e sigurisë në vendpunishte nuk i takojnë Komunës së Prishtinës.

“Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe bashkëshort i Presidentes së Republikës së Kosovës, m’paska quajtur ‘vrasës’. Që gjuha e urrejtjes dhe linçimit është identitet politik i Vetëvendosjes, kjo nuk është më as temë e as befasi”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se, sipas legjislacionit në fuqi, verifikimi teknik i vinçit, kontrolli i dokumentacionit dhe mbikëqyrja e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës, ndërsa Inspektorati i Ndërtimit në Kryeqytet mbikëqyr vetëm zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit.

“Prandaj, çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të padijshëm”, ka deklaruar ai.

Rama ka paralajmëruar se do të padisë Alban Krasniqin dhe personat e tjerë që, sipas tij, kanë shpifur ndaj tij.

“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Nga ana tjetër, Alban Krasniqi ka mbajtur përgjegjës Përparim Ramën për ngjarjen, duke deklaruar se çdo neglizhencë apo mosveprim që rrezikon jetën e qytetarëve e bën atë përgjegjës.

“Çdo neglizhencë, mosveprim apo veprim që cenon qytetarët, punëtorët dhe sigurinë e tyre me gjithë paralajmërimet e bëra dhe rastet e përsëritura e bën përgjegjës kryesor Përparim Ramën”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka akuzuar Ramën edhe për degradim të qytetit, bashkëpunim me “mafian e ndërtimit”, dhënie të lejeve të ndërtimit pa kritere dhe blerje të delegatëve, duke shtuar se ai do të përgjigjet para drejtësisë.

“Nëse jo dje dhe sot, nesër do të përgjigjesh para një drejtësie që ka guximin me luftu krimin e me të vendosë para përgjegjësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Përplasja vjen pas aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ku një vinç u rrëzua gjatë montimit, duke shkaktuar vdekjen e një 26-vjeçari dhe lëndimin e një 18-vjeçari. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë ende në zhvillim.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...