
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka bërë të theksuar mirënjohjen e tij për kontributin e dhënë nga Admirali Wikoff dhe trupat e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
“Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë, të udhëhequr nga SHBA-ja dhe NATO-ja. Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO e përmbyll sigurinë e rajonit.” u shpreh Haradinaj
Gjatë këtij takimi, është riafirmuar rëndësia e partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet aleate të NATO-s, duke theksuar se orientimi euroatlantik i vendit mbetet i pandryshueshëm dhe se integrimi në NATO është çelësi për garantimin e paqes afatgjate në rajon.
Postimi i plotë:
Në Deçan, nën përkujdesjen e kryetarit Bashkim Ramosaj, patëm kënaqësinë të mirëpresim Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.
Shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin personal të Admiral Wikoff dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe forcat e NATO-s japin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë.
Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e NATO-s. Lidhja jonë me ta mbetet e përhershme, ashtu si edhe aspirata jonë që të jemi pjesë e kësaj aleance.
Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO e përmbyll sigurinë e rajonit.






