
Në postimin e parë të publikuar pas mbërritjes në Prishtinë, Haddad bëri të ditur se vizita kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Kosovës.
Ai njoftoi se në agjendën e takimeve ishin frankofonia, investimet e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe çështjet rajonale. Sipas tij, vizita është vazhdim i takimit të presidentit Emmanuel Macron me kryeministrin Albin Kurti më 17 mars dhe pjesë e angazhimit francez për Ballkanin Perëndimor dhe ribashkimin e kontinentit evropian.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Haddad u takua me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin diskutoi për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Në fokus të bisedës, sipas postimit të tij të dytë që lidhej me këtë takim, ishin Lojërat Mesdhetare, frankofonia, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, bashkëpunimi gjyqësor dhe reformat.
Ai nënshkroi një marrëveshje për huazimin e 60 milionë eurove për Kosovë, për financimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”.
“La France est aux côtés du Kosovo depuis le premier jour” (“Franca është në krah të Kosovës që nga dita e parë”), shkroi Haddad pas takimit me Kurtin.






