
Aktgjykimi është marrë njëzëri nga trupi gjykues, i cili konstatoi se provat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor nuk kanë vërtetuar akuzat për krim të organizuar, ndikim te dëshmitarët dhe veprat e tjera penale.
“Nuk është provuar që të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Sipas arsyetimit të gjykatës, asnjëra nga provat e administruara nuk ka vërtetuar kryerjen e veprave penale. Po ashtu, dëshmitari me kodin “C” ka mohuar kategorikisht se të akuzuarit kanë ndikuar që ai ta ndryshojë deklaratën e tij në rastin “Drenica”.
Gjykimi për këtë rast ishte zhvilluar vetëm për disa pika të aktakuzës së ngritur fillimisht nga Prokuroria e EULEX-it.
Përveç Sami Lushtakut, në këtë rast të akuzuar ishin edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Pas vendimit të gjykatës ka reaguar deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili e ka cilësuar procesin si “drejtësi të vonuar”.
“Sot, Sami Lushtaku u lirua nga të gjitha pikat e aktakuzës në rastin ‘Drenica 1’, pas një procesi që zgjati mbi 13 vite”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shprehur shpresën që, sipas tij, edhe “të gjithë çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe në procese gjyqësore të tejzgjatura” të lirohen sa më parë.






